Thierry Henry forcon pozitat për të qenë pasues i Didier Deschamp në kombëtaren e Francës. Kalimi në finalen e Lojërave Olimpike me skuadrën e 23-vjeçarëve ka bërë të reflektojnë në Federatën e futbollit.

Është presidenti i saj, Philippe Diallo që ka lënë të hapur mundësinë që Henry të emërohet në krye të ekipit kombëtar A.

Sipas tij, 46-vjeçari ka ende punë për të bërë, gjithsesi, mbetet një alternativë tepër e mirë për të zëvendësuar Deschamps. Ky i fundit ka një kontratë me Francën deri pas Kupës së Botës 2026, e deri atëherë, Henry ka disa prova për të marrë drejtimin e “gjelave”. 

Nën drejtimin e skuadrës së 23-vjeçarëve, ish-sulmuesi i Arsenalit dhe Barcelonës synon të fitojë medaljen e artë olimpike. Për medaljen që do ishte e dyta olimpike në futbollin e meshkujve pas 40 vitesh, Franca sfidon Spanjën të premten në Paris.

Klan News