Kryeministri Edi Rama është ndalur të flasë edhe njëherë për rastet e shtiblerjes së votave në Dibër dhe tha se gazetarët nuk mund të bëjnë prokurorin dhe gjykatësin. Sipas tij, nuk ka mundësi që të përmbyset rezultati i procesit elektoral duke blerë vota.

Kreu i qeverisë ironizoi dhe akuzoi LSI-në duke thënë se “As fabrika e parave të LSI-së nuk arrin të përmbysë rezultatin kombëtar”. Rama u shpreh se testi për besueshmërinë në sytë e popullit jepet më 25 Prill.

“Është e pabesueshme që ju të bëni këtu prokurorin dhe gjykatësin suprem. Ju keni emra dhe ju jeni keni pretendimin që nuk janë hetuar. Ku e dini ju që nuk janë hetuar për shembull? Nga e dini ju? Ku e dini ju që emrat që ju përmendni janë të përfshirë në diçka që është kriminale? Si e dini ju? Nga muhabetet e telefonave? Si mund të bëhet kjo lloj prokurorie dhe gjykate në media me kufje në vesh. Është habi e madhe. Është prokuroria ajo që bën hetimin dhe është prokuroria e shtetit, jo ajo e news-eve, ajo që vendos se për kë ngre akuzë dhe për kë jo. Nuk jeni ju. Ju kam thënë gjithmonë një gjë. Bëni sondazhe, mos komentoni sondazhet e të tjerëve. Nuk ka shans të përmbyset rezultati i një procesi elektoral kombëtar duke blerë. Nuk ka shans. As fabrika e parave të LSI-së nuk arrin të përmbysë rezultatin kombëtar, që është një fabrikë që ka punuar me eficencë të plotë në raste të caktuara. Sa i përket besueshmërisë sime, natyrisht që nuk mund të jem i besueshëm për burime të infektuara informimi. Sa i besueshëm apo i pabesueshëm jam unë, apo jemi të gjithë ne, fatmirësisht e vendos populli shqiptar. Populli shqiptar në datë 25 do të na japë testin e besueshmërisë në dorë për të gjithë. Nuk pres të bëhem i besueshëm për pronarët e disa prej jush”. /tvklan.al