Shkencëtarët e NASA tashmë kanë filluar përgatitjet dhe po ndjekin me kujdes trajektoren e një asteroidi gjigand që pritet të kalojë shumë pranë Tokës. Kjo do të ndodhë pas një dekade. Asteroidi i njohur me emrin “Apophis” pritet të kalojë pranë planetit tonë më 13 Prill 2029 në një distancë prej 31 mijë kilometra nga sipërfaqja.

Sipas NASA-s, në distanca të tilla po orbitojnë rreth Tokës edhe disa prej satelitëve. Me gjatësi 340 metra, shkencëtarët përjashtojnë mundësinë e një rreziku të përplasjes së objektit hapësinor në Tokë. Megjithatë, ky do të jetë një rast shumë pozitiv për shkencën, për të vëzhguar këtë meteor që do kalojë pranë planetit.

Për shkak të distancës së afërt, asteroidi mund të shihet edhe me sy të lirë nga qytetarët. Shkencëtarët thonë se mund të shihet edhe gjatë natës përpara datës së paralajmëruar. Fillimisht do të shfaqet mbi Hemisferën Jugore, duke qenë i dukshëm gjatë natës nga Australia. Më pas do të lëvizë drejt Perëndimit duke kaluar në Ekuator përpara se të kalojë përreth Shteteve të Bashkuara.

Shpejtësia e tij do të jetë aq e madhe saqë do të kalojë gjithë gjerësinë e Hënës në më pak se 1 minutë. Sipas studiuesve, gjasat për t’u përplasur me Tokën janë të pakta, megjithatë po mbahet vazhdimisht nën vëzhgim trajektorja e këtij objekti hapësinor.

/tvklan.al