Gjykata e Posaçme dënoi me 25 vite burg Gjergj Cukalin, të cilin e gjeti fajtor për porositjen e atentatit të dështuar ndaj Gjon Menës në shkurt të 2021 në Kamëz.

Me 20 vite burg dënoi treshja e gjyqtarëve të posaçëm të hetuarin tjetër në këtë çështje, Blendi Deda dhe me nga 18 dhe 19 vite heqje lirie Paris Prengën dhe Flor Abazin.

Të tre këta u gjetën fajtorë për shpërthimin me eksploziv ndaj Artjan Bylykut, kunatit të Domart Konjarit në tetor të 2019-ës.

Të përfshirë në të dy shpërthimet ishin dy kushërinjtë, Enver dhe Ermond Jamaku që u dënuan me nga 30 vite burg, por për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, si të penduar u dënuan përfundimisht me nga 8 vite heqje lirie.

Ishte dëshmia e tyre që në vitin 2021, zbardhi atentatin ndaj Menës ku nën premtimin e Gjergj Cukalit se do të merrnin 30 mijë Euro, ata i vendosën eksploziv me telekomandë makinës së tij.

Të njëjtat deklarime zbuluan se me kërkesë të Blendi Dedës, ata kishin vendosur edhe sasinë e eksplozivit në makinën ku lëvizte Artjan Bylyku, por shënjestër kishte qenë i shumëkërkuari i drejtësisë Domart Konjari.

Dy bashkëpunëtorët gjithashtu treguan 18 baza armatimi në kryeqytet, ku hetuesit gjetën armatime të ndryshme.

Tv Klan