Për tre ditë radhazi në Durrës, anija shkollë e marinës italiane “PALINURO” do të mirëpresë vizitorët kureshtarë dhe studentët nënoficerë të kategorisë së timonierëve.

Anija do të jetë e hapur për qytetarët, duke u ofruar mundësinë për të përjetuar një përvojë të paharrueshme në një prej perlave të marinës historike. Interesin më të madh për ta parë nga afër anijen e treguan shtetasit e huaj që ndodhen në Durrës.

“Kam punuar 8 vite në Marinë, i njoh shumë mirë anijet. Banoj këtu dhe erdhëm ta shohim”.

“Morëm vesh në internet për ardhjen e anijes dhe erdhëm ta shohim. Të dy gjyshërit e djalit tim kanë qenë oficerë dhe ai dëshironte patjetër të vizitonte anijen. Është fantastike, e pabesueshme.”

Anija shkollë e marinës italiane mbart në bordin e saj studentët e vitit të dytë të kursit për marshall në kategorinë e timonierëve të Shkollës së Nënoficerëve të Tarantos. Kjo vizitë ndjek atë të anijes tjetër shkollë, “Amerigo Vespuçi”, e cila në tetor 2023 qëndroi për tre ditë në portin më të madh të vendit.

“Jemi duke trajnuar studentët tanë të detarisë të shkollës “Francesco Morosini”si dhe ata të vitit të 2° të kursit për marshall, në kategorinë e timonierëve. Meqë trajnimi po kryhet në detin Adriatik menduam se ishte një mundësi shumë e mirë të ndaleshim në Durrës, për t’u prezantuar qytetarëve durrsakë anijen tonë. Në bord kemi aktualisht 13 studentë, por numri i tyre varion nga 10 deri në rreth 60 studentë, që trajnohen për një periudhë të caktuar në anije”, u shpreh Samuele Mondino, kapiten i anijes

Anija shkollë, e ankoruar në kalatën nr. 2 në portin e Durrësit, është ndërtuar në një kantier francez në vitin 1934 dhe ka mbushur 90 vite. Ajo u ble nga Marina Italiane në vitin 1950 për të zëvendësuar anijen shkollë “Cristoforo Colombo”, e cila iu dha Bashkimit Sovjetik pas Luftës II Botërore.

Anija shkollë “Palinuro” do të jetë e hapur për publikun deri të enjten në orën 11:30, pas së cilës do të nisë udhëtimin drejt Italisë, konkretisht në Mesinë.

Klan News