Atentati ndaj prokurorit, pranga Redjan Rrajës

Atentati ndaj prokurorit, pranga Redjan Rrajës

15:52 05/11/2019

Policia: Iu gjetën gjurmët e gishtërinjve në makinën e vrasësve

Katër ditë pas sulmit me armë ndaj makinës ku gjendej prokurori Arjan Ndoja, miku i tij Pëllumb Muharremi dhe shoferi i prokurorit, Andi Maloku, policia ka arrestuar një person të dyshuar si njëri nga atentatorët.

Ai është Redjan Rraja 34 vjeç, lindur dhe banues në Nikël të Fushë – Krujës, ish –stomatolog në burgun e Fushë – Krujës, një emër i njohur për policinë, i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale.

Burime të policisë thanë për Televizionin Klan se ai është kryesori mes tre atentatorëve.

Arrestimi i tij u bë me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi ka rezultuar se në makinën tip Benz me targë AA342LM që u gjet e braktisur në fshatin Shkafanë, me dy automatike dhe me dy maska, janë gjetur gjurmë gishtërinjsh që përputhen me të tijat.

34-vjeçari është ndaluar në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria.

Ai disponon dokumente kanadeze dhe prej kohësh jeton mes Shqipërisë dhe Kanadasë.

Nuk ka bërë rezistencë, por ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, një version që i ka qëndruar edhe gjatë marrjes në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Hetuesit thonë se provat janë të pakundërshtueshme. Veç gjurmëve të gishtave, burime nga grupi hetimor pohojnë se janë gjetur edhe mbetje të pështymës së tij në njërën nga maskat.

Policia duket se ka rënë edhe në gjurmët e dy personave të tjerë që morën pjesë në atentat. Operacione në lidhje me ngjarjen janë zhvilluar në Tiranë, Krujë e Lushnjë.

Autoritetet janë të rezervuara për të sqaruar se cili është motivi i ngjarjes dhe kush ka qenë shënjestra e sulmit, prokurori Ndoja apo miku i tij i njohur si “Rrumi i Shijakut”.

Por burime të policisë thone se Rraja dhe dy atentatorët e tjerë mund të jenë paguar nga ndonjë grup kriminal për ta kryer atentatin.

Redjan Rraja u regjistrua në dosjet e drejtësisë në Maj të vitit 2016, kur u vu në pranga dhe u dënua me 8 muaj burg për prishje të provave në atentatin ndaj Elton Çiços.

Ai ishte në krah të Çiços kur ky i fundit u qëllua nga Jani Aliaj në një lokal të njohur të Tiranës.

Emri tij doli sërish në skenë në ngjarjen e bujshme të 2018-tës, pas akuzave te ngritura ndaj kushëririt të tij, Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist, Rrahman Rraja.

Ishte ish-oficeri i Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu, që kallëzoi në polici se është kërcënuar nga Redjan dhe Ramazan Rraja, pasi e hetonte Rexhep Rrajën pas denoncimit për dhunë të Xhisiela Malokut. Por për këtë ngjarje ai nuk u ndalua ndonjëherë.

Tv Klan


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi