Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Vendimi i Gjykatës së Lartë për prishjen e kullave Hawai-Alb, nuk mund të realizohet menjëherë, pasi banorët do të ndjekin çështjen shkallë-shkallë me ankesa në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Strasburgut. Avokati i 120 familjeve që jetojnë këtu prej më shumë se një viti, shprehet se është në anën e banorëve, pasi shkelja nuk ka ardhur prej tyre, por autoriteteve lokale, që nuk kanë vepruar në kohë.

Avokati: “Ata kanë të drejtë që këtë çështje t’a dërgojnë deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila e siguri, që meqenëse hynë në juridiksionin e kësaj gjykate, duhet të vendosë shfuqizimin si anti-kushtetues të vendimit të Gjykatës së Lartë. Në qoftë se dhe kjo gjykatë, do pajtohet me vendimin Gjykatës së Lartë, ato përsëri kanë të drejtën t’a çojnë këtë çështje deri në Gjykatën e Strasburgut. Kjo gjykatë ka praktike gjyqësore për ndërtimet e kundra-ligjshme. Në qoftë se banesat janë jashtë kondicioneve urbane, mund të shembet, shteti është i detyruar t’a shpërblejë dëmin e kësaj.”

Investimi për të pasur një strehë në kryeqytet dhe ato për t’a mobiluar atë, sipas banorëve nuk mund të hidhen poshtë kaq lehtë.

Banori 1: “Ne gjallë që këtu nuk dalim më, burri i burrit, të gjithë janë të armatosur, këtu gjallë nuk dalim më dhe po ua them me sinqeritet, në qoftë se vjen policia ndërtimore këtu, ne do i shqyejmë.”

Banori 2: “Ne shyqyr që po i lëmë urtë, s’po u themi gjë, as mos vidhni, as mos bëni, këta jetojnë si zotni, ne prapë s’na lënë me ndejt mo vëlla.”/tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti