Kesal: Është bukur të vish në Tiranë

Projektet e reja e risollën për herë të dytë në Shqipëri aktorin e famshëm turk, Ercan Kesal (Erxhan Kesall), apo “Baba Idrizin” ashtu siç e njeh publiku shqiptar përmes rolit të tij emblematik në serialin “Çukur” që transmetohet në Tv Klan.

Adhurues të çdo grupmoshe e pritën ardhjen e artistit në “Javën e filmit turk në Tiranë”. Vetë ai nuk e fsheh ndjesinë e rikthimit.

“Ndjenjat e mia janë edhe më të fuqishme sesa herën e parë që erdha në Shqipëri. Ndjehem vërtetë sikur jam pranë familjes dhe njerëzve të mi më të afërt”.

“Kandidati për kryetar” është libri e njëherësh filmi i tij më i fundit, që e gjen Ercan Kesal në rolin e shkrimtarit, regjisorit dhe protagonistit kryesor. E për këtë ka një arsye të rendësishme.

“Tema e librit ka elemente shumë të fortë autobiografik nga jeta ime personale. Jam munduar të shpreh sesi personat e tjerë do t’i përjetonin gjërat nëse do të ishin në vendin tim. Libri është përkthyer në shumë gjuhë të Ballkanit, tani dhe në shqip, dhe fakti që ka një zhargon të përafërt me to, e bën librin dhe filmin shumë popullor. Madje edhe stafi për realizimin e filmit ka pasur serbë dhe rumunë”.

Për mikrofonin e Tv Klan aktori i njohur turk zbulon projektet e radhës.

“Për vitin 2022 po punoj për një libër dhe nga fundi i Vjeshtës mendoj se do të rikthehem sërish në setin e xhirimit. Pse jo edhe në Shqipëri”.

Tv Klan