Balla akuza Berishës dhe Metës: Takohen skutave me prokurorë dhe gjyqtarë të shkarkuar se gjoja do të zhbëjnë Reformën në Drejtësi



Balla akuza Berishës dhe Metës: Takohen skutave me prokurorë dhe gjyqtarë të shkarkuar se gjoja do të zhbëjnë Reformën në Drejtësi

10:46 15/02/2021

“Goditjet e SPAK rrisin besimin tek qytetarët”

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, është shprehur se goditjet e njëpasnjëshme të SPAK kanë rritur besimin e qytetarëve tek Reforma në Drejtësi. Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së drejtuesve politikë të qarqeve, Balla hodhi akuza ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës. Ai u shpreh se ish-kryeministri dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta komunikojnë me prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar dhe shkaktuar nga Vettingu si dhe i kanë premtuar zhbërjen e Reformës në Drejtësi.

“Për të gjithë ata që kanë vënë dyshimet e reformës në drejtësi, goditjet e njëpasnjëshme të SPAK-ut dhe të mbështetura nga institucionet e tjera të drejtësisë siç është ILD kanë rritur dhe rrisin çdo ditë besimin e qytetarëve shqiptarë se çuarja përpara e Reformës në Drejtësi është një rrugë pa kthim dhe le të betohet dhe stërbetohet Sali Berisha dhe Ilir Meta në skutat e komunikimit me prokurorë apo gjyqtarë të korruptuar dhe të shkarkuar nga Vettingu se këta gjoja do të kthehen në pushtet do të anulojnë procesin e Vettingut apo do të zhbëjnë Reformën në Drejtësi, jam shumë i sigurt që qytetarët shqiptarë dinë të vlerësojnë. Goditja e një strukture kriminale brenda drejtësisë nga një gjyqtare e korruptuar apo persona të tjerë të lidhur me të ishte një mesazh kuptimplotë për të gjithë ata që kanë veshë e sy që të shikojnë që reforma në drejtësi po ecën përpara dhe goditja e çdo strukture brenda sistemit të drejtësisë apo në të gjithë sistemin politik nëse doni do të vazhdojë përpara”, tha Balla.

Balla foli dhe për listat me të cilat do të dalë PS-ja në zgjedhjet e 25 Prillit. Ai u shpreh se vazhdojnë konsultimet ndërsa shtoi se, “Listat e PS-së do të jenë një risi dhe një shprehje kuptimplotë e asaj që kemi thënë prej ditës së parë, ne kemi bashkëqeverisur me njerëzit në këtë mandat do të vazhdojmë të bashkëqeverisim sepse duam të çojmë përpara punët që ende nuk kemi përfunduar, por janë në një proces dhe kush nuk e kupton që këtë duhet të niset nga fakti që jo të gjitha punët kanë përfunduar. Rindërtimi është në një proces të rëndësishëm. Ne nuk kemi lënë askënd vetëm gjatë tërmetit dhe pandemisë. Të dhënat e muajit janar janë të shkëlqyera për të krijuar besimin që kemi dritë të tunelit dhe po ecim me drejtimin e duhur”. /tvklan.al







Të ngjashme