Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi këtë të hënë në parlament se PS-ja do t’i qëndrojë marrëveshjes së 5 Qershorit. Ai u bëri thirrje të gjitha partive që të garojnë dhe të dalin përpara popullit.

“PS në këto 30 vite kurrë nuk ka shkelur një marrëveshje edhe me kundërshtarët e vet dhe në këtë funksion ritheksoj se PS-ja i qëndron marrëveshjes së 5 Qershorit. Besoj që tashmë jemi të gjithë të qartë që procesi i ndryshimeve kushtetuese që i ka hapur rrugë hapjes së listës tashmë. Nga 25 Prilli na ndajnë edhe pak kohë dhe i ftoj të gjitha partitë politike që të bëhen gati për të garuar tek gjykatësi që nuk gabon kurrë, populli shqiptar. Le të përballemi të gjithë me njëri-tjetrin, por me gjyqtarin e pagabueshëm: popullin”, tha Balla.

Teksa foli për çështjen e financimit të partive, Balla tha se duhet forcuar legjislacioni. Socialisti mori si shembull rastin e PD-së, ku tha se nuk ka sqaruar pozicionin e saj në lidhje me financimin rus të publikuar nga mediat.

“Mbetem i bindur që çështja e financimit të partive politike në Shqipëri duhet forcuar legjislacioni. Nuk kemi një legjislacion që të garantojë që partitë politike të mos financohen nga burime të paligjshme. Dështimi i institucioneve të drejtësisë shqiptare, jo ato amerikane, për të hetuar siç duhet rastin e financimit të PD-së, të bërë publik me prova, jo me fjalë, se si nga një kompani guacë në Edinburg të Skocisë persona të caktuar me origjinë, apo me pasaporta ruse ua dhanë në zemër për të financuar Lulzim Bashën është një fakt që sot nuk është hetuar, është një fakt që sot përsëri është një sirenë alarmi se si parti të caktuara politike në Shqipëri mund të bien pre e financimeve nga vende që nuk janë aspak miqësore me Shqipërinë. Biem të gjithë dakord që Rusia nuk është një vend miqësor me Shqipërinë dhe në këtë këndvështrim, fakti që nga financime ruse të financohet PD-ja, një prej partive më të rëndësishme të jetës politike të vendit. Nëse ngrihen akuza dhe PD nuk sqaron për asnjë moment pozicion e vet për këtë çështje biem dakord që kuadri ligjor për financimin e partive politike në vend nuk është i duhuri”, tha Balla. /tvklan.al