Balla pro komisionit të posaçëm: Duhet të denononcojmë përjekjen për të bërë pis luftën e UÇK-së

Balla pro komisionit të posaçëm: Duhet të denononcojmë përjekjen për të bërë pis luftën e UÇK-së

12:10 16/11/2020

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u shpreh këtë të hënë gjatë seancës plenare se Gjykata Speciale që po gjykon komandantët e UÇK-së nuk është gjykatë ndërkombëtare. Ai u shpreh se propozimi i tij për të ngritur një komision të posaçëm për hetuar çështjen e burgjeve të UÇK-së në Shqipëri kërkon konsulencë të mirë juridike.

Balla tha se rezoluta e miratuar në 2011, e propozuar nga Dick Marty, nisi pas një mocioni në vitin 2008 nga një përfaqësues rus në Asamblenë e Këshillit të Europës. Balla tha se Shqipëria duhet të denoncojë përpjekjen për të bërë pis luftën e Kosovës.

“U ngrit këtu çështja e propozimit tim i cili është në proces formalizimi pasi kërkon konsulencë shumë të mirë juridike, pasi nuk mund të ngremë një komision të posaçëm i cili të mbivendoset mbi kompetencat e një gjykate. Të gjithë pranojmë se gjykata që po merr në gjykim komandantët e luftës së UÇK-së nuk është një gjykatë ndërkombëtare sepse sipas ligjit të miratuar në Kuvendin e Kosovës është një gjykatë vendore, është një dhomë e një gjykate ndërkombëtare dhe sa kohë që në sallë nuk kam parë një flamur të Kosovës nuk di t’ia definoj statusin asaj gjykate, por ne kemi detyrimin moral si Kuvend i Shqipërisë të qartësojmë disa çështje që lidhen me Shqipërinë. Kemi pasur mazhorancën e vitit 2011, e cila ka votuar pro një rezolute për investigime të pretendimeve për trajtim çnjerëzor dhe trafik të paligjshëm të organesh njerëzore në Kosovë. Proces i nisur me mocion të një rezolute në vitin 2008 paraqitur nga një anëtar i Asamblesë së Këshillit të Europës, Kostandin Kosaçev, përfaqësues i Federatës Ruse. Pra procesi që çoi deri në miratimin e rezolutës së propozuar Dick Marty-t ka filluar që në vitin 2008. Dhe në atë rezolutë miratuar në 25 Janar të 2011 janë vënë çështje që lidhen me territorin e Republikës së Shqipërisë, në Mat, Has dhe Kukës. Në Republikën e Shqipërisë janë bërë hetime nga autoritetet e drejtësisë shqiptare sovrane dhe legjitime që kanë arritur në përfundimin që në Shqipëri, as në Shtëpinë e Verdhë, as në Has dhe as në Kukës nuk ka pasur krime, nuk ka pasur krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ne si Kuvend duhet të vlerësojmë mundësinë e një komisioni të posaçëm që t’i marrë bashkë të gjitha këto fakte dhe pasi të ketë definuar një raport mund të shkojë në një rezolutë që padyshim duhet ta denoncojmë përpjekjen për të bërë pis luftën çlirimtare në Kosovë. Kush nuk e di dhe kush nuk e ka ende të qartë në kokë duhet ta dijë që lufta për liri nuk është kurrë krim lufte, lufta për liri është e pastër ka moral dhe është e ndershme. Rroftë Lufta Çlirimtare e Popullit të Kosovës”, tha Balla. /tvklan.al





Të ngjashme