BSH: Shtyrja e pagesës së kredisë negociohet rast pas rasti

Bankat e nivelit të dytë kanë rinisur punën dhe shërbimet për qytetarët dhe bizneset.

Janë marrë masa të forta sigurie dhe higjiene, për të mbrojtur personelin e tyre dhe qytetarët që marrin shërbimet.

Hyrja është me radhë, ndërsa personeli është pajisur me maska dhe mjediset janë dezifektuar.

Një pjesë e qytetarëve kanë shkuar për të paguar këstet e kredisë.

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës i datës 12 Mars për dhënien e mundësisë së shtyrjes së pagesës së kredisë për një afat prej 3 muajsh është në fuqi, por çdo rast duhet të dakordësohet me bankat, dhe nuk përjashtohen nga ky vendim bizneset dhe qytetarët që duan të paguajnë këstin.

“Për të bërë të mundur këtë nevojitet që të gjithë ata kredimarrës, biznese dhe individë, të cilët preken nga kjo situatë dhe që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo lehtësi e ofruar, të kontaktojnë institucionin financiar, me të cilin kanë marrëdhënien e kreditimit dhe të informojnë këta të fundit mbi këtë kërkesë”.

Qytetarë të tjerë kanë shkuar në banka për të bërë veprime të përditshme.

Prej 17 Marsit në shërbim të qytetarëve janë edhe 4 pika të Ujësjellës Kanalizime Tiranë. Pas dezinfektimit të mjediseve, në sportele po punohet me staf të reduktuar.

Po ashtu Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka njoftuar se në pikat e saj vijon puna në sportele prej orës 08:00 deri në 16.00.
 

Tv Klan