Rruga e re lehtëson qarkullimin për 1 mijë familje

Banorët e fshatit Zharrëz në Bashkinë Patos do të kenë së shpejti një infrastrukturë moderne. Një rrugë e re që lidh fshatrat Sheqishtë dhe Fshati i Ri do të ndërtohet për të lehtësuar jetën e përditshme të më shumë se 1000 familjeve që jetojnë në këtë zonë. Projekti do të financohet nga kompania prodhuese e naftës, Bankers Petroleum Albania si pjesë e programit të saj të dedikuar për investimet komunitare.

“Rikonstruksioni i kësaj rruge ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e banorëve por edhe e Bashkisë Patos dhe për këtë arsye vendosëm të financojmë 100 mijë dollarë për këtë projekt të rëndësishëm. Në vite Bankers ka treguar se ne jemi këtu jo vetëm për operacionet hidrokarbure, por së pari për njerëzit e kësaj zone dhe të Shqipërisë në përgjithësi. Shumë nga rrugët, shkollat, klinikat shëndetësore këtu në Patos janë financuar nga ne dhe jemi shumë krenarë që kemi përmirësuar jetën e këtyre njerëzve”.

Aktualisht rruga është në gjendje shumë të keqe, ka një shtresë bituminoze, por shumë e amortizuar. Problem mbetet infrastruktura, mungesa e trotuareve ndriçimit, etj.

Ky projekt është një investim i përbashkët ndërmjet Bankers dhe Bashkisë Patos, kosto totale e të cilit llogaritet rreth 300 mijë dollarë. Bankers Petroleum Albania ka investuar më shumë se 7.5 milionë dollarë në projekte në komunitet ndër vite duke u fokusuar në infrastrukturë, shkolla dhe kopshte, klinika shëndetësore dhe gjithashtu në mbjellje pemësh.

Tv Klan