Katalanasit tjetër goditje me zero, Eric Garcia rikthehet në Spanjë

Barcelona prezantoi lojtarin e dytë me parametra zero. Pas Sergio Kun Agueros, Eric Garcia është pjesë e klubit katalanas. Ai ka ndjekur Agueron në itinerarin Manchester City-Barcelonë, duke u angazhuar për një marrëveshje 5- vjeçare në “Camp Nou”. Garcia zbarkoi te katalanasit të martën dhe do të bashkohet zyrtarisht me klubin si transferim falas, kur kontrata e tij në “Etihad” të skadojë zyrtarisht në fund të muajit.

20-vjeçari i ka kaluar katër vitet e fundit të karrierës te “Sitizenz”, pasi u largua nga akademia e famshme e Blaugranave “La Masia”. Tani është kthyer në mjediset e njohura, një ditë pas mbërritjes së Aguero në Katalonja.

Barça konfirmoi nënshkrimin e Garcia me një deklaratë në faqen e saj të internetit, e cila thotë: “FC Barcelona dhe Eric Garcia arritën një marrëveshje për t’u bashkuar me klubin nga 1 Korriku, pasi të ketë përfunduar kontratën e tij me Manchester City. Lojtari do të nënshkruajë një kontratë deri në fund të sezonit 2025-2026 me klauzolë lirimi prej 400 milionë Euro”.

Siç duket klubi katalanas është i bindur te cilësitë e djaloshit, që nuk gjeti shumë hapësira në radhët e ekipit të drejtuar nga Pep Guardiola.

Klan News