“Më 25 Prill, ndryshimi në dorën tuaj”

Berati ishte ndalesa e radhës e kreut të opozitës, Lulzim Basha, në vijim të takimeve elektorale. Qytetarëve që e pritën në qytetin e 1001 dritareve u kërkoi që të bëhen pjesë e ndryshimit në 25 Prill. Me biznesin e vogël ndau planin ekonomik, përmes të cilit tha se synon rimëkëmbjen e ekonomisë.

I ftoi të besojnë tek ndryshimi, pavarësisht përbaltjes së qëllimtë që sipas tij, po i bëhet programit ekonomik dhe ekipit të kandidatëve me të cilin garon në 25 Prill.

Në Bilç ku pa nga afër një plantacion ulliri, kryedemokrati foli për zgjidhje konkrete që qeveria e tij tha se do të ofrojë për bujqësinë. Kryeministrin e akuzoi se në 8 vite qeverisje varfëroi shqiptarët, ndaj në themel të politikave të tij fiskale sheh uljen e taksave.

Në Berat, Basha u takua edhe me një çift pensionistësh, me të cilët ndau planin e tij që synon rritjen e pensioneve. Kreu i demokratëve u ndal edhe në Kalanë e Beratit, ku shpalosi planet e opozitës për trashëgiminë historike, kulturore dhe fetare.

Tv Klan