Ndonëse studentët kanë refuzuar praninë e partive politike në protestën e tyre, kreu i opozitës Lulzim Basha pas mbledhjes së grupit parlamentar të demokratëve u shpreh se opozita do ta mbështesë kauzën e të rinjve në të gjitha format. I vetmi që po mundohet të mbjellë frymën e përçarjes sipas kreut të demokratëve është kryeministri Rama.

“Partia Demokratike dhe unë e mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat dhe natyrisht që jemi atje me mish, me shpirt e me mendje. Nuk ka nevojë të bëjmë akte protagonizmi, për t’i shërbyer pikërisht propagandës së ndyrë të Edi Ramës, i cili prej 13 ditësh po i torturon këta të rinj, të cilët kanë një kërkesë të thjeshtë: Plotëso 8 kërkesat, plotëso 8 kërkesat një orë e më parë.”

Pa akuzuar nuk la edhe mediat të cilat i bëri bashkëfajtore në manipulimin e së vërtetës rreth protestës së studentëve. Arsyeja tha se gjendet tek tenderat dhe koncensionet korruptive që pronarë të saj marrin nga qeveria. Si dëshmi të këtij bashkëpunimi solli edhe atë që e cilëson aferën më korruptive me projektin e Unazës së Re.

“Mediat e korruptuara dhe të blera, në vend që të tregojnë të vërtetën, mundohen të sjellin shenjën e barazimit, përse? Sepse Edi Rama u jep lek, dhe opozita u prish punë se i denoncon. Denoncon pronarët e këtyre mediave që janë të përfshirë tek “Unaza”, denoncon pronarët e këtyre mediave që bën pazare natën me Edi Ramën.”

Për skandalin e Unazës së Re, Basha u kërkoi mediave që të pyesin kryeprokuroren Arta Marku perse nuk po e heton kryeministrin.

“Shkoni vendosjani këto kamera Arta Markut pyeteni se përse nuk ka nisur hetimet për Edi Ramën, i cili është planifikuesi, ideatori dhe përfituesi i vjedhjes 40 milionë euro tek “Unaza”.”

I pyetur në lidhje me rikthimin e opozitës në Kuvend në seancën plenare të së premtes ku është futur për votim nisma e demokratëve për vettingun, Basha tha se nuk ka ende një vendim politik. Burimet për Tv Klan thonë se opozita do të jetë e pranishme në parlament, edhe pse në mbledhjen e grupit pati zëra që i kërkuan Lulzim Bashës djegien e mandateve të deputetëve si një akt politik për t’u prirë protestave kombëtare.

Tv Klan