Lulzim Basha ka reaguar përsëri mbrëmjen e sotme për bllokimin e shqiptarëve në doganën e Kapshticës, të cilët prej disa ditësh po qëndrojnë në tokë asnjëanëse pasi nuk lejohen të hyjnë në vendin tonë për shkak të luftës ndaj koronavirusit.

Në një postim në Facebook, kryetari i Partisë Demokratike e konsideron çnjerëzore dhe krim të rëndë braktisjen e qytetarëve shqiptarë, teksa i bën thirrje qeverisë që të hapë kufirin për t’i lënë të hyjnë në vend.

Është e pafalshme dhe çnjerëzore që prej 4 ditësh dhjetëra nga bashkëqytetarët tanë janë lënë në mëshirë të fatit, në tokë asnjëanëse mes Shqipërisë dhe Greqisë. Një braktisje e tillë mizore përbën një krim kaq të rëndë, sa asnjë shoqëri e civilizuar nuk mund ta falë, dhe që një prokurori me një fije integritet nuk mund të mos e hetojë. I bëj thirrje qeverisë të lejojë këta bashkëqytetarë të hyjnë në atdheun e tyre. Të merren masa për transportin dhe strehimin e tyre në qendrën për karantinim në konvaleshencën e Durrësit. Të bëhet testimi i tyre dhe më pas në varësi të gjendjes shëndetësore të dërgohen pranë shtëpive dhe familjeve të tyre. Braktisja e tyre në këtë kohë të vështirë është e papranueshme, është kriminale”, shkruan Lulzim Basha.

Gjatë pasdites së kësaj të diele, personat që kanë mbetur në tokën neutrale, bllokuan lëvizjen e mjeteve të transportit të mallrave drejt Greqisë dhe Shqipërisë. Ata thanë se nuk do të lejojnë asnjë mjet të hyjë dhe dalë nga dogana, deri kur situata e tyre të marrë zgjidhje. /tvklan.al