Në kulmin e debatit politik dhe vetëm tre ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve lokale, Presidenti Ilir Meta zhvilloi disa takime gjatë ditës së sotme, për datën e re të zgjedhjeve vendore.

Dashamir Shehi: Besoj se do të bëjë një dekret të ri për një datë të re zgjedhjesh për të ulur tensionin politik gjithmonë para datës së hapjes së negociatave të Tetorit. Ky është diskutimi bazë, për këtë po ikim të takojmë dhe aleatët. Nga darka besoj se do të dalë një gjykim i përbashkët. Mendimin tonë unik do ta nxjerrim me PD dhe aleatët e tjerë.

Data e re e zgjedhjeve lokale pas anulimit nga ana e Presidentit Meta të 30 Qershorit, por edhe zgjidhja e krizës politike ishin në qendër të takimeve që kreu i shtetit zhvilloi me përfaqësues të politikës.

Takimin e parë Presidenti  Meta e nisi në orën 09:00 me kryetarin e Partisë Demokratike, me të cilin qëndroi vetëm 25 minuta.

I vetmi koment pas bisedës mes tyre ishte ai i kreut të shtetit në Facebook, ku fjalët qetësi e dashuri ishin zëvendësuar me ato “përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë”.

Pas ikjes së kryedemokratit, në zyrën e Ilir Metës u ngjitën me radhë nga aleatët e Lulzim Bashës tek ata të Edi Ramës.

I vetmi që mungoi, por që e priti deri në orën 13:00 të drekës, ishte Kryeministri Rama, ndonëse një ditë më parë refuzimin në takim kreu i qeverisë e argumentoi  me angazhimin e tij në fushatë elektorale. Për mazhorancën, ndryshe nga Presidenti, 30 Qershori është e vetmja datë kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Pas krerëve të partive politike në Presidencë mbërritën edhe përfaqësues ndërkombëtarë. Zgjedhjet lokale dhe kriza politike ishte në qendër të takimit që Presidenti Meta zhvilloi me shefen e zyrës së Këshillt të Europës Jutta Gutzko edhe tre ambasadorët; atë të BE-së Luligi Soreca, britaniku Duncan Norman dhe ambasadorja franceze Christina Vasak.

Tv Klan