Në 28- vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilësoi bekim për vendin protestën e studentëve.

Të rinjtë ishin frymëzimi, ishin forca që solli ndryshimin, pluralizmin dhe demokracinë (në vitin 1990). Qytetarët e bashkuar kanë bërë ndryshime historike dhe një ndryshim i tillë po lajmërohet këto ditë në Shqipëri. Shpirti dhe krenaria e saj, të rinjtë janë përsëri në këmbë. kjo lëvizje është shumë më shumë se sa vetëm për tarifat universitare, është shumë më shumë se sa thjeshtë vetëm për të drejtat e tyre elementare për arsim të lartë

”, tha Basha.

Në këtë valë protestash që kanë nisur në mbarë vendin Basha thotë se përpara demokratëve del një sfidë me të cilën duhet të përballen. Basha iu referua protestave të mbajtura në disa qytete të vendit ku qytetarë, fermerë dhe biznese të mbështetur nga Partia Demokratike bllokuan disa prej akseve kombëtare.

“Është armatosja me guxim dhe kurajë për çdo qytetar shqiptar, për prindërit e tyre, për vëllezërit dhe motrat e tyre, që të mos heshtin kurrë më, kur qeveria i mashtron, i nëpërkëmb, u merr bukën dhe fëmijët nga tavolina e u shemb shtëpitë dhe pastaj tallet me ta. Është mësimi për këdo që injoron dhe nëpërkëmb zërin e qytetarëve.”

Fermerë dhe qytetarë korçarë bllokuan rrugën Korçë-Pogradec ku kërkuan uljen e çmimit të karburantit. Në Durrës qytetarët e mbështetur nga Partia Demokratike protestuan pranë mbikalimit të Shkozetit në autostradë. Çmimi i lartë i karburantit, energjisë elektrike, mungesa e tregut dhe mbështetja për studentët në Tiranë ka ngritur në protestë edhe një grup qytetarësh në Fier.

Për disa minuta rruga u bllokua ndërkohë që radha e automjeteve shkoi më shumë se 1 km. Për të njëjtat arsye dolën në protestë edhe në Vlorë e Elbasan, ku qytetarët bllokuan rrugët nacionale.

E njëjta situatë ishte edhe në Shkodër, Lezhë, Kavajë e Mallakastër.

Tv Klan