Vetëm pak minuta pas deklaratave të ish-Kryeministrit Sali Berisha në ABC News se e vetmja rrugëzgjidhje për situatën në të cilën ndodhet vendi është

“përmbysja me forcë e Edi Ramës”,

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha në Tv Klan se

“PD do të vijë në pushtet me votë”

.

Nga studio e emisionit “Opinion”, Basha tha se

“Partia Demokratike do të vijë në pushtet me votë, me votën e qytetarëve shqiptarë. Nuk ka për të patur asnjë lloj negociate apo marrëveshje me Edi Ramën. Qëllimi ynë është që Rama të largohet nga politika dhe të çohet para drejtësisë për krimet e tij ndaj shqiptarëve. Edhe Donika Prela do të shkojë para drejtësisë, edhe Arta Marku do të shkojë para drejtësisë.”

Por i pyetur nëse do të hyjë në zgjedhje me Ramën Kryeministër, Basha tha

“jo, absolutisht jo”.

Ai tha se opozita po përgatitet edhe për zgjedhje lokale, edhe për zgjedhje të përgjithshme, por nuk dha detaje se si do të mundësohen ato pa Ramën Kryeministër.

“Ky është në proces”

, tha Basha duke shtuar se situata në të cilën ndodhet Shqipëria sot është shumë më e rëndë se para Qershorit të vitit 2017, kur vendi shkoi në zgjedhje pas marrëveshjes Rama-Basha.

Më tej, kreu i opozitës tha se deklaratat e Ramës, i cili disa ditë më parë deklaroi se kryedemokrati i kishte kërkuar pushtetin në tavolinë

“një herë unë, një herë ti”,

është mashtrim, pasi pushteti merret, nuk jepet.

Kryetari i opozitës tha se

“17 Maj tjetër nuk do të ketë. Nuk ka marrëveshje tjetër me Edi Ramën.”

/tvklan.al