“Pas 25 Prillit, transparencë për çdo shtëpi e pallat të dëmtuar”

Turin e takimeve derë më derë me qytetarët dhe bizneset, Lulzim Basha e vijoi nga njësia nr 9 në kryeqytet.

Shqetësimit të banorëve në qendër të Tiranës se janë lënë në harresë pas dëmtimeve që kanë pësuar nga tërmeti i 26 Nëntorit, Lulzim Basha iu kundërpërgjigj duke thënë se pas procesit të rindërtimit fshihen afera korruptive të qeverisë.

Pas 25 Prillit u angazhua se do vërë në zbatim një plan konkret që i jep zgjidhje transparente rindërtimit.

Edi Ramës që kërkon mandatin e tretë qeverisës i kujtoi premtimet e pambajtura, ndërsa para banorëve të njësisë 9 u angazhua të fusë një kulturë të re në politikë. Pensionistët iu ankuan për trajtim qesharak, por kryedemokrati i shpalosi planin e tij që tha se i vjen në ndihmë kësaj kategorie.

Basha iu rikthye sërish çështjes së teatrit, teksa ripërsërit se pas ardhjes në pushtet qeveria e tij do e ndërtojë atë siç ishte në të njëjtën pronë. E që të gjitha këto angazhime t’i bëjë realitet tha se i duhej vota e shqiptarëve në betejën e 25 Prillit.

Tv Klan