Basha tregon arsyen: Pse Rama nuk del në debat mua



Basha tregon arsyen: Pse Rama nuk del në debat mua

10:17 12/04/2021

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një bashkëbisedim me gra sipërmarrëse në Elbasan. Kreu i opozitës, tha se qeveria e kryeministrit Rama është sjellë si armike me qytetarët e saj.

Ai i konsideron zgjedhjet e 25 Prillit si më vendimtaret pas ndryshimit të sistemit ndërkohë që ka komentuar edhe sjelljen e kryeministrit ndaj tij gjatë fushatës elektorale. Basha tha se Rama do që të tregojë se zgjedhjet janë duel personal mes të dyve, por sipas kryeopozitarit kjo nuk është e vërtetë.

Basha tha se Rama nuk del në debat pasi nuk ka bërë asgjë gjatë qeverisjes së tij.

“Jeni mbajtur këto 8 vite. Kemi qenë në krahun tuaj këto 8 vite. Mbahuni dhe këto 2 javë, mos u dorëzoni sepse do vija dita më 25 Prill që të përcillni këtë keqqeverisje dhe të ndryshojmë gjithçka, në veçanti të ndryshojmë sjelljen e qeverisë me biznesin e vogël. Tani ju për 8 vite me radhë jeni heroina që keni përballuar këtë ngarkesë. Në një anë kriza ekonomike, rënia e konsumit. Nga ana tjetër, një qeveri që është sjellë armike me ju. 8 vite me radhë jeni heroina që e keni përballuar këtë situatë. Dy javë na ndajnë nga momenti i ndryshimit. Prandaj them që është moment vendimtar. Është një nga zgjedhjet më vendimtaret që do bëjnë shqiptarët, ndoshta më vendimtarja pas ndryshimit të sistemit. Prandaj beteja elektorale ka degjeneruar në një kryeministër që vjen vërdallë për ta treguar këtë si një duel me mua. S’është me mua. Është duel se çfarë ke bërë këto 8 vite. Vetëm kësaj pyetjeje nuk i jep përgjigje. Prandaj nuk vjen në debat se dueli i vërtetë i politikanëve është debati. Në debat të vijë jo për mua, por për t’u thënë qytetarëve çfarë bëri me premtimet këto 8 vite”, tha Basha.

E pranishme në këtë takim ishte edhe kandidatja për deputete e Partisë Demokratike për Elbasanin, Flutura Açka, e cila tha se sot gratë në Shqipëri e kanë më të vështirë se burrat në fushën e sipërmarrjes. Gratë sipërmarrëse ngritën problemet që përballet sot biznesi i tyre, që sipas tyre janë taksat e larta dhe rënia e fuqisë blerëse.

Basha tha se me planin e Partisë Demokratike për biznesin, i cili parashikon që çdo biznes me xhiron nën 140 milionë lekë të vjetra në muaj, nuk do të paguajë asnjë shumë mbi 0.5% të xhiros vjetore në vit, uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe të naftës. Ai gjithashtu tha se një vendim tjetër i qeverisë së ardhshme do të jetë anulimi i procesit të fiskalizimit, ku sipas kreut të opozitës është një proces korruptiv.   /tvklan.al







Të ngjashme