“Rama e ka kthyer Shqipërinë në monopol të vetin”

Programin e demokratëve për energjinë, Lulzim Basha e ndau edhe me përfaqësues të një biznesi prodhues në Durrës.

Taksat e larta si dhe monopolet në treg sipas kryedemokratit janë shkaktarët e rrënimit të biznesit, dhe për këtë tha se pas ardhjes në pushtet angazhim kryesor qeveria e tij do të ketë rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Sepse kur unë të ul taksën nga 15 në 9, që do ta ul. Kur do t’i ul kontributet shoqërore në 18%, këto para nuk janë më në xhepat e shtetit dhe të shkojnë për një grusht oligarkësh, por janë në xhepat tuaj dhe me këto mund të bëni linja të reja prodhimi, mund të bëni të mundur punësimin dhe trajnimin e shumë të tjerëve.”

Në ndihmë biznesit premtoi se do t’i vihet duke liberalizuar tregun e energjisë e duke ulur çmimin.

“Të gjithë e kanë të liberalizuar, vetëm Shqipëria vazhdon monopolin. Pse? –që të vjedh, e dini shumë mirë, nga i pari tek i fundit OSHE dhe KESH. Shqipëria nuk mund të jetë as e Edi Ramës, as e Ardi Çelës. Prandaj liberalizimi i tregut të energjisë do të mundësoj uljen e kostos së prodhimit, një tjetër faktor shumë i rëndësishëm.”

Replikat në distancë i vijoi sërish me Kryeministrin, i cili ia ironizon edhe programin për energjinë.

“Doli dje o nga injoranca ose nga mashtrimi se tani nuk i ka ngel gjë tjetër, tha që bursa është krijuar. Ti e di fare mirë që bursa nuk funksionon, që energjia vazhdon të jetë faktikisht  e monopolizuar nga dy korporata të korruptuara deri në palcë dhe faturën e korrupsionit dhe të dështimit të tyre e paguan ti se në momentin që të ikën energjia ty të prishet i gjithë cikli i prodhimit.”

Dhe rruga e vetme për tu ndarë nga keqqeverisja e Edi Ramës tha se është vota masive e shqiptarëve në 25 Prill.

“Ju garantoj që do keni një qeveri që do jetë në krahun tuaj”.

Tv Klan