Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar qytetarët e Kosovës në këtë ditë të shënuar të 13-vjetorit të pavarësisë. Përmes një videomesazhi, Basha, kujton me nderim Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin si dhe të gjithë ata që kanë dhënë jetën për pavarësinë e Kosovës.

Basha thotë se tashmë Kosova përballet me sfida të reja. Ai siguron se si kryetar i opozitës, por edhe si kryeministër i së nesërmes do të punojë gjithmonë që Shqipëria të jetë në krah të qytetarëve të Kosovës.

“Sot Kosova përballet me sfida të mëdha. Po unë jam i sigurt se qytetarët e Kosovës, forcat politike të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës kanë tashmë të gjithë përvojën, energjinë dhe vendosmërinë për ta çuar Kosovën përpara drejt njohjeve të reja ndërkombëtare, drejt fuqizimit të ekonomisë së saj dhe prosperitetit për çdo qytetar të Kosovës.

Në këtë rrugëtim nuk do të jeni kurrë vetëm. Shqipëria do të jetë krah për krah me ju dhe unë ju garantoj se çdo ditë të jetës time, sot si kryetar i opozitës dhe nesër në krye të qeverisë, do të bëj gjithçka që Shqipëria të jetë në krah të Kosovës në përmbushjen me sukses të sfidave dhe të pritshmërive të qytetarëve të Kosovës”, tha Basha./tvklan.al