Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, në Televizionin Klan, bashkëshortja e ish-Kryebashkiakut të Dibrës, Shukri Xhelili, deklaron se videoja ku ai shfaqet duke kërkuar favore seksuale në këmbim të vendit të punës është e kurdisur.

Tefta Xhelili shprehet se bashkëshorti i saj është një njeri i mrekullueshëm dhe se do të qëndrojë krah tij deri në fund.

E kam parë videon në televizor, pasi më morën në telefon dhe më thanë miq dhe të afërm se diçka i ishte kurdisur bashkëshortit. Nuk kam patur dijeni më parë. Prej 32 vitesh jetoj me Shukriun dhe fatmirësisht dhe falë jetës që kemi kaluar, kemi patur një marrëdhënie të shkëlqyer, kemi dy djem të mrekullueshëm, që sot janë në moshë madhore. Një familje që nuk ka qenë kurrë problematike, këtë e di e gjithë Dibra. Detyra ime si bashkëshorte ndaj atij bashkëshorti të mrekullueshëm është t’i qëndroj afër, është të mbaj afër familjes. E njoh vajzën në video është qytetare nga këtu. Këto ditë, falë miqve, dashamirësve, gjakut tonë, kemi patur mbështetje të madhe, na kanë qëndruar pranë dhe unë i falenderoj përzemërsisht. Nuk e fajësoj kurrë bashkëshortin tim sepse e njoh kush është. E kemi nisur jetën bashkë, kemi patur biznesin bashkë, kemi rritur fëmijët bashkë, kjo që ndodhi, ndodhi. Informacionet e shtrembëruara nuk duhet të ishin, sepse u godit familja, fëmijët, një fis i tërë. U godit një njeri që ishte bashkëshorti im. Jam bashkëshortja e Xhelilit dhe do mbetem deri në vdekje. Unë mendoj se këtu është një dorë, por këtë nuk mund ta them unë,  po t’ia lemë policisë. Në këtë ngjarjë nuk është goditur vetëm një familje, por edhe privacia e një personi, një gjë që nuk duhet të ndodhë”.

Me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, mbrëmjen e sotme policia arrestoi ish – Kryebashkiakun e Dibrës, Shukri Xhelili, i shkarkuar nga detyra pas përfshirjes së tij në skandalin seksual me një 20 – vjeçare, të cilës i kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune në strukturtat në varësi të Bashkisë.

Vetë 56 – vjeçari e ka quajtur videoregjistrimin një skenar me prapavijë politike. Ndërsa vajza ka pohuar se e ka kryer këtë video me iniciativë të saj. 

/

tvklan.al