Autoritetet në El Salvador kanë bastisur zyrat e Mossack Fonseca në El Salvador. U sekuestruan dokumenta dhe pajisje kompjuterike të zyrës ligjore, që ishte në themel të skandalit “Panama Papers”.

Zyrtarët vendas thanë se qëllimi i këtij operacioni është zbulimi i të dhënave të reja rreth përfshirjes se personave të tjerë në skandal. Përmes një postimi në rrjetet sociale autoritetet njoftuan se dega e Mossack Fonseca në El Salvador funksiononte si zyrë ndihmëse dhe u shërbente klientëve në mbarë botën.

Një nga motivet kryesore që ngjallën dyshime rreth degës së zyrës ligjore në El Salvador, ishte vendimi i një dite më parë për të mbyllur aktivitetin e për tu shpërngulur.

Mega-skandali financiar “Panama Papers” përfshiu krerë shtetesh, politikanë e njerëz të famshëm. 11.5 milionë dokumentat e siguruara nga gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”, shkaktuan një tërmet të vërtet global.

Një ditë më parë kryeministri britanik David Cameron, u detyrua të pranojë se kishte përfituar nga aksionet e një shoqërie offshore e përfshirë në skandal, që ishte ngritur nga babait të tij.

Tv Klan