Si në çdo rast tjetër kur dhuna është zgjedhur si alternativë në politik, pas seancës plenare të së hënës ka ardhur reagimi i përfaqësive diplomatike në Tiranë. Ambasadori Gonzato foli në të njëjtin oborr ku pasditen e të hënën u ndez zjarri i karrigeve të opozitës duke shprehur keqardhje për skenat e dhunshme.

Silvio Gonzato, Ambasadori i BE-së në Tiranë: Është për të ardhur keq që për një çështje tjetër, disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në kuvend. Është për të ardhur keq. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin. Në një demokraci funksionale si Shqipëria pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin, deputetët e kuvendit duhet të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë.

Ndërsa reagimi i Ambasadës Amerikane që ishte në të njëjtën linjë me atë të Bashkimit Europian, u bë publik në rrjetet sociale.

Ambasada Amerikane: Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik. Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë.

Të dy përfaqësitë diplomatike kujtojnë se vendit, i cili është në procesin e negociatave të anëtarësimit i duhen diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese, ndërsa shprehin gatishmërinë e tyre për të punuar së bashku me institucionet shqiptare që anëtarësimi të jetë më i shpejtë.

Tv Klan