Në një fjalim të mbajtur para Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Julian Assange, deklaroi se pranimi i fajit ndaj akuzave të ngritura nga SHBA për spiunazh ishte i nevojshëm.

“Përfundimisht zgjodha lirine mbi një drejtësi të parealizueshme pasi u mbajta në burg për vite dhe u përballa me një dënim 175-vjeçar. Unë jam i lirë sot sepse u deklarova fajtor për kërkimin e informacionit nga burimet, u deklarova fajtor se informova publikun”.

Ai e cilësoi qëndrimin në burg shumë të vështirë dhe sfidues.

“Tranzicioni nga vitet e izolimit në një burg të sigurisë së lartë në të qenit këtu përpara përfaqësuesve të 46 kombeve dhe 700 milionë njerëzve është një ndryshim i madh. Përvoja e izolimit për vite në një qeli të vogël është e vështirë për t’u përcjellë. Kërkoj falje paraprakisht nëse ky fjalim i imi nuk ishte shumë ideal, por po përballem me shumë sfida”. 

Një raport i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës arriti në përfundimin se Assange ishte një i burgosur politik dhe bëri thirrje që Britania të zhvillonte një hetim nëse ai ishte ekspozuar ndaj trajtimit çnjerëzor.

Lirimi i tij i jep fund një sage ligjore 14-vjeçare, gjatë të cilës ai i kaloi më shumë se pesë vjet në një burg të sigurisë së lartë në Britani të Madhe.

Assange u padit gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump për publikimin nga ËikiLeaks të dokumenteve sekrete amerikane në lidhje me luftërat në Irak dhe Afganistan, të cilat u zbuluan nga Chelsea Manning, një ish-analiste e inteligjencës ushtarake amerikane, e cila gjithashtu u ndoq penalisht.

Klan News