Selitë diplomatike dënuan kaosin dhe djegien e karrigeve nga deputetët e Partisë Demokratike. Ambasada Amerikane në Tiranë shprehu keqardhje për atë që ndodhi të hënën në Parlament.

“Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik. Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë. Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike.”

Të njëjtin qëndrim mbajti dhe përfaqësuesi i misionit të BE-së në Tiranë. Ambasadori Silvio Gonzato reagoi për mediat nga oborri i Parlamentit, ku deputetët demokratë dogjën karriget.

Silvio Gonzato, përfaqësuesi i misionit të BE-së në Tiranë: Është për të ardhur keq që për një çështje tjetër disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në kuvend. Është për të ardhur keq. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra oër ta shprehur mendimin. Në një demokraci funksionale si Shqipëria pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin, deputetët e kuvendit duhet të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë.

Qëndrimi i diplomatit erdhi para nisjes së sesionit plenar të asamblesë parlamentare të nismës së Europës qendrore. Gonzato deklaroi në Parlament se pritet që të çelen negociatat me Shqipërinë për grup kapitullin e çështjeve themelore.

Klan News