Nga Riga presidenti i Republikës, Bajram Begaj në takimin me homologun e tij lituanez Rinkēvičs, tha se ky është një moment për të forcuar dialogun politik të shkëlqyer mes dy vendeve mike që ndajnë qëndrime të përbashkëta për çështjet rajonale dhe globale. Ai vlerësoi mbështetjen e Letonisë përgjatë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë,

Presidenti i Republikës u shpreh se, me përparimin e jashtëzakonshëm në përafrimin me standardet e BE-së, Shqipëria shpreson për një rrugë të qartë dhe të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në union. Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u konsiderua në takim si një rrugëzgjidhje përballë influencave të palëve të treta të shtuara me agresionin rus në Ukrainë dhe si një mundësi për të nxitur stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.

Bajram Begaj, President i Shqipërisë: Sot ne jemi aleate ne NATO ndërkohë që së shpejti ne ëndërrojmë dhe shpresojmë të jemi së bashku si anëtare të BE-së. Padyshim Shqipëria dhe Letonia kanë marrëdhënie shumë të mira dy palëshe. Kemi zhvilluar një dialog politik të ndërsjelle pasi ndajmë të njëjtat objektiva . Duhet të ecim shpejt përpara në bashkëpunimin në fushën e sigurisë kolektive. Është e qenësishme që të vijojmë mbështetjen për Ukrainën si investim për paqen e siguri në familjen euroatlantike. Ukraina duhet të jetë shtet anëtar i NATO-s.

Begaj shprehu përkushtimin e Shqipërisë për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

Për sa i përket marrëdhënieve ekonomike, presidentët e dy shteteve biseduan për rritjen dhe zgjerimin e tyre, duke përfshirë investimet direkte, turizmin, shkëmbimet tregtare, arsimin dhe kërkimin shkencor.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohje ndaj Letonisë për kontributin në rajon, duke theksuar praninë e trupave në kuadër të KFOR-it dhe mbështetjen ndaj Kosovës për integrimin euroatlantik.

Në takim u bisedua për sfidat e reja me të cilat Shqipëria dhe Letonia përballen si aleate në NATO dhe në këtë aspekt u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. “Shqipëria”, –u shpreh Presidenti Begaj, – “mbetet në solidaritet me Letoninë me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO-s në Adazi.”

Biseda kokë më kokë mes presidentëve Begaj dhe Rinkēvičs u pasua nga takimi i zgjeruar me pjesëmarrjen e delegacioneve përkatëse dhe më pas krerët e dy shteteve zhvilluan konferencën e përbashkët për mediat. Riga ishte ndalesa e parë në Republikat Baltike.

Klan News