Në nisje të sesionit të ri parlamentar, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i është drejtuar me një mesazh deputetëve duke u bërë thirrje që të fokusohen në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin e Evropian, si dhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Kreu i Shtetit kërkoi që partitë politike të angazhohen në një dialog të frytshëm dhe në nisma ligjore të bazuara në shqetësimet e qytetarëve.


Bajram Begaj, President i Republikës: Ne duhet të sigurojmë që çdo ligj që miratohet të jetë në përputhje me interesat e qytetarëve dhe me standardet më të larta demokratike. Kjo kërkon angazhim të përbashkët dhe përpjekje të vazhdueshme për të siguruar që Kuvendi të jetë gjithmonë i përkushtuar dhe të përmbushë rolin e tij mbikëqyrës, të garantojë balancën e pushteteve, si dhe të mbrojë interesat e popullit.

Në një kohë kur kjo legjislaturë po shkon drejt fundit dhe po afron viti elektoral, Presidenti i Republikës vlerëson se deputetët duhet të ushtrojnë me përgjegjësi mandatin në këtë drejtim.

Bajram Begaj, President i Republikës: Po afron edhe momenti për të peshuar arritjet e sukseset, mangësitë dhe dështimet, për të vlerësuar vetveten, por dhe për t’u vlerësuar nga publiku. Në këtë Shtator të ri, imazhi dhe performanca parlamentare janë sa të dëshiruara, aq edhe të domosdoshme që Kuvendi ynë të jetë arena frymëzuese e përballjes qytetare, ku zëra të ndryshëm përfshihen në një dialog të frytshëm.

Përgjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Kreu i Shtetit thekson se deputetët duhet të përmbushin në kohë masat ligjore të përfshira në Planin Kombëtar të Integrimit.

Klan News