Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ishte në fshatin Vajzë të Vlorës i ftuar në festivalin historik, kulturor dhe artistik “Vajzë Festë 2024”.

Gjatë kësaj vizite, Presidenti i Republikës u prit nga banorët e zonës dhe personalitetet pjesëmarrës në aktivitetin që zhvillohet prej dy vitesh, por që ka marrë përmasa kombëtare.

Presidenti Begaj nderoi atdhetarin Ali Asllani, birin e Vajzës, një personalitet i njohur shqiptar në politikë dhe letërsi, duke vendosur lule në bustin e tij të ngritur nga vetë banorët e fshatit.

Presidenti vendosi buqeta lulesh edhe në lapidarin kushtuar dëshmorëve të Luftës së Vlorës dhe të Luftës së Dytë Botërore si edhe në bustin e Heroit të Popullit, Perlat Rexhepi.

Kreu i Shtetit zhvilloi vizita në Vatrën e Re të Kulturës, në një sipërmarrje agroturizmi, si dhe në Parkun Arkeologjik të Amantias.

Ndërkohë, gjatë fjalës përshëndetëse në “Vajzë Fest” Presidenti i Republikës foli për rëndësinë e nismave të tilla që nxisin zhvillimin e mëtejshëm të fshatrave shqiptare, ruajtjen e traditave dhe afrimin e vizitorëve të huaj për promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë historike dhe kulturore.

“Pjesëmarrja në këtë edicion të dytë të festivalit është dëshmi e qartë e suksesit të tij dhe e rëndësisë që ky aktivitet ka fituar në kalendarin kulturor të vendit tonë. Jam i lumtur të shoh si Vajza ngrihet lart në peizazhin kulturor të Shqipërisë, duke u bërë një qendër tërheqëse për artistë, turistë dhe dashamirës të kulturës nga e gjithë bota. Ne jemi të gjithë bashkudhëtarë në këtë rrugë të rilindjes së fshatrave tanë. Çdo hap që hedhim përpara është dëshmi e përkushtimit dhe dashurisë për këtë tokë të bekuar dhe shqiptarinë. Le të punojmë së bashku për ta bërë Vajzën dhe të gjithë fshatrat e tjerë të Shqipërisë vatra të jetës, kulturës dhe bukurisë”, tha Begaj.