Tjetër goditje në planet e trajnerit Sylvinho për dy takimet e muajit shtator në Ligën e Kombeve. Pas sulmuesit Armando Broja që nuk ia ka dalë për të qenë në grumbullim për shkak dëmtimi, në dyshim mbetet edhe kapiteni, Berat Gjimshiti. Mbrojtësi ka çaluar në fundin e seancës stërvitore, duke ngritur dyshimet për një mungesë në fushë ndaj Ukrainës.

Nga ekzaminimet e para dyshohet se Gjimshiti ka pësuar tërheqje muskulore, shkaktuar gjatë testit miqësor kundër kombëtares U-21. Ende mbetet për tu përcaktuar shkalla e dëmtimit të kapitenit, i cili po kalon një formë të mirë në këtë fillim-sezoni në radhët e Atalantës.

Kjo ka bërë që tekniku Sylvinho të mos rrezikojë, teksa ka ftuar në vendin e tij mbrojtësin Adrian Bajrami. Ky i fundit ishte i grumbulluar me kombëtaren shpresa, gjithsesi pritet të jetë i gatshëm për takimin e 7 Shtatorit kundër Ukrainës.

Të fundit që do të bashkohen me kombëtaren janë Jasir Asani, Mario Mitaj dhe Enea Mihaj, me teknikun Sylvinho që më pas do e ketë grupin e plotë për të punuar tekniko-taktikisht për sfidën e të shtunës.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Ukrainës në transfertë më 7 Shtator 2024, në ora 20:45 në stadiumin “Epet Arena” të Çekisë, ndërsa tre ditë më vonë do të presë në “Air Albania” përfaqësuesen e Gjeorgjisë, takim që është planifikuar të nis në orën 20:45.

Të dy sfidat vijnë ekskluzivisht dhe falas në ekranin e televizionit kombëtar Klan.

Klan News