Tjetër mungesë për kombëtaren shqiptare për dy ndeshjet e para në Grupin B1 të UEFA Nations League. Kapiteni Berat Gjimshiti nuk do të jetë i gatshëm për dy sfidat ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë për shkak dëmtimi.

Mbrojtësi kuqezi pësoi një dëmtim në seancën stërvitore gjatë një testi miqësor me ekipin U-21 dhe më pas iu nënshtrua kontrolleve mjekësore. Pas rezonancës magnetike, rezulton se Gjimshiti ka pësuar një tërheqje muskulore dhe ka nevojë për disa ditë pushim për t’u rikuperuar nga dëmtimi. Kapiteni kuqezi do të rikthehet te klubi i Atalantës për të nisur menjëherë rikuperimin.

Trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë për këto dy ndeshje mbrojtësin e Kombëtares U-21, Adrian Bajramin, i cili do të bashkohet menjëherë me ekipin. Lojtarët e tjerë nuk kanë probleme fizike dhe i gjithë grupi pritet të plotësohet gjatë mbrëmjes së të martës.

Tv Klan