Emisioni “Stop” ka udhëtuar drejt fshatit Bogdan i Sipërm, rreth 20 km larg qytetit të Beratit për problemin e shtetasit Hasan Toska, i cili nuk merr kempin, edhe pse nuk e ka njërin krah. Deri në vitin 2018 ai trajtohej me kemp, por në muajin nëntor i është hequr, pasi nuk përmbush kriteret ligjore.

Hasani tregon, se ka dy fëmijë dhe jeton vetëm me pensionin e nënës së tij. Në Shërbimin Social të Beratit thonë, se Hasani mund të punojë roje, në fabrikat e Beratit.

Nga ana tjetër Gëzim Demiraj, kryetar i shoqatës së ruajtjes së sigurisë fizike shpjegon, se një nga kriteret, për të punuar roje objekti, është raporti mjeko-ligjor, që vërteton, se ai është i aftë mendërisht dhe fizikisht dhe më pas vjen trajnimi. Ky i fundit përfshin arritjen e disa normave fizike. Por sipas Gëzim Demirajt, Hasani nuk i përmbush këto standarde.

Hasan Toska: Në moshën 9 vjeçare kam humbur krahun dhe në vitin 2012 më lidhën  me një kemp dhe kam qenë deri në vitin 2018 dhe deri tani i kam mbyllur letrat dhe tani nuk më japin kemp pasi më thonë se jam pa grup, por unë nuk e kuptoj se çdo të thotë që je pa grup. Unë nuk kam ku të punoj, pasi nuk punoj dot. Tani të ardhura kam vetëm nga pensioni i mamasë. Jam unë dhe kam dy fëmijë, por sa vite do jetojë nëna? Jam dy orë larg nga qyteti i Beratit dhe të shkoj  në një vend kur ke hall nuk shkoj dot në kam mundësi ekonomike të shkoj në asnjë vend, pasi duhet 30 mijë lek të vjetra për të marrësh një makinë.

Punonjësja sociale: Po! Keni dalë nga Kempi Epror, pa grup.

Gazetarja: Që do të thotë?

Punonjësja sociale: S’merr pagesë paaftësie.

Gazetarja: Jashtë kritereve ligjore, çfarë do të thotë?

Punonjësja sociale: Që nuk është në kriteret ligjore, që ka vendosur ministria për të përfituar pagesën e paaftësisë.

Gazetarja: Zotëria, është i aftë për punë tani?

Punonjësja sociale: Përderisa e kanë shkruajtur ashtu, po!

Më pas gazetarja së bashku me Hasanin ju drejtua zyrës së punës së qytetit të Beratit për të pyetur se çfarë pune mund të bëjë ai në kushtet që është.

Denoncuesi: Kam ardhur për punë.

Punonjësja: Ta kanë hequr kempin? Tani…u shërove ti, se s’po gjeja fjalën e duhur, që të thosha, që të gjeja domethënë. Të kanë nxjerrë për punë të lehtë tani? Mund të bësh punë të lehtë, apo ta hoqën kempin fare?

Denoncuesi: Ma hoqën fare kempin.

Punonjësja: Por mund të bësh punë të lehtë, ta kanë dhënë atë rekomandimin. Ku banon ti?

Denoncuesi: Në Bogdan të Sipërm.

Punonjësja: Ëhë! Ku është Bogdani i Sipërm, i thuaj atyre! Te sytë tuaj, i thuaj! Unë të kuptoj shumë mirë, por atje ku je ti dhe ku jemi ne këtu, je larg cdo gjëje. Sa orë do ti, të vish në Berat?

Denoncuesi: Dy orë, dy orë e gjysmë.

Punonjësja: Kur do nisesh ti nga shtëpia, për të shkuar në punë këtu tek ne? Rojen mund ta bësh ti. Ca moshe je?

Denoncuesi: 1981-shi.

Punonjësja: Ohuu më mirë, s’ka ku të vejë, 38 vjeç. Rojen a ca mendon ti, se mund të bësh, vetëm kjo është zgjidhja për ty.

(I flet një punonjësi tjetër) Vetëm roje mund të bëjë në kushtet, që është.

Punonjësja: Po tek fabrika e lëkurës, që keni aty në Vodicë? Të vesh njëherë atje, mos të ndihmon ai, ndonjë roje ndonjë gjë. Në rast se ti, merr një përgjigje negative nga ata, pas përpjekjes që ke bërë vetë, hajde këtu me kartën e identitetit dhe të të regjistroj, të shikojmë çfarë mundësi mund të të krijojmë.

Pas sugjerimit që u bë tek zyra e punës së Beratit se Hasani mund të punonte si rojë, gazetarja e emisionit “Stop” pyeti Kryetarin e Shoqatës së Sigurisë Fizike nëse ai i përmbush kushtet dhe cilat janë dhe nëse  i përmbush

Gëzim Demiraj: Bazuar në ligjin 75 për shërbimin e ruajtjes së sigurisë fizike një nga kriteret pqër tu punësuar në këto shoqëri është një raport mjeko ligjor i cili vërteton së është i aftë për punë dhe specifikon të gjitha aftësitë, fizike, mendore dhe të ketë një përgatitje dhe njën kurs 10 ditori që zhvillohet në qendrat e trajnimit. Është një nga kushtet më specifike dhe në këtë kuadër nuk mundet që një punonjës  i cili ka dëmtime dhe nuk kryen dot detyra e punonjësit të shërbimit të sigurisë fizike. Për tu trajnuar është trajnimi teorik dhe fizik, në këtë të fundit punonjësi i shërbimit duhet të jetë i aftë të kapi të gjitha parametrat e stërvitjes, prangosjes dhe përdorimit të armës dhe parametra të tjerë teknikë, në mënyrë që të punësohet pranë këtyre. Ai është e pamundur që të punësohet pranë këtyre shoqërive me detyrën e punonjësit të shërbimit sepse është në shkelje të hapur të ligjit./tvklan.al