Vendimin e 3 ministrave për të ndaluar fishekzjarret në Shqipëri, ish-Kryeministri Sali Berisha e konsideron një akt të pashembullt që nuk ndodh në vendet e tjera të botës.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha thotë se arsyeja e vërtetë e ndalimit të fishekzjarreve nuk është për shkak të plagosjes me kapsollë të efektives Ina Nuka.

“E vërteta është se ato u ndaluan në Shqipëri jo për shkak të plagosjes në dy gishtërinjtë e njërës dorë të oficeres së policisë, sepse çdo vit në urgjencat e spitaleve janë mjekuar qytetarë të plagosur nga përdorimi i pakujdesshëm i fishekzjarreve, por ato ndalohen vetëm e vetëm nga frika se mos studentët apo qytetarë të revoltuar gjuajnë me fishekzjarre Edvin Kistaq Frikacakun dhe ky është një akt i turpshëm amoral, me te cilin ai për të qetësuar tmerret e tij të brendshme shpirtërore u prish festën e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri fëmijëve dhe familjeve shqiptare”,

thotë Berisha.

Ish-Kryeministri shprehet se fishekzjarret nuk janë të ndaluara as në vendet më të izoluara të botës, sikurse është Koreja e Veriut. Në të gjithë botën, autoritetet vetëm këshillojnë dhe apelojnë për përdorimin me kujdes të tyre, argumeton Berisha, por askush nuk ndalon përdorimin e tyre.

“E vërteta është se fishekzjarret jane të ndërtuara me lëndë kimike plasëse, ndriçuese dhe padiskutim duan kujdes në përdorimin dhe administrimin e tyre. Përveç kësaj, në Tiranë por thuajse në çdo metropol apo qytet tjetër europian janë shënuar jo vetëm plagosje madje edhe të rënda, por ndonjëherë edhe viktima nga përdorimi i pakujdesshëm i tyre, natyrisht pakrahasimisht më pak se sa nga pijet alkolike. Por këto aksidente nuk janë përdorur në asnjë vend dhe asnjëherë si pretekst për ndalimin e përdorimit të fishekzjarreve. Ato kanë detyruar autoritetet që të përsërisin udhëzimet për përdorimin e tyre po jo ndalimin talebanesk të tyre

“, deklaron ish-Kryeministri Sali Berisha.

/tvklan.al