Ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur fushatën për garën për kreun e Partisë Demokratike. Nga Elbasani, lideri historik i demokratëve tha se opozita duhet të jetë “të paktën 10 herë më aktive”.

“Ne demokratët nuk duhet të njohim lodhje, nga mëngjesi në darkë ne duhet të qëndrojmë në mbrojtje të interesave kombëtare, në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Duhet të bëjmë gjithçka që të mos ketë dallim të madh mes opozitarizmit të qendrës në Tiranë dhe degës në Elbasan, Vlorë e kudo.

“Do të jetë një opozitë shumë më aktive dhe kjo nuk do të thotë që do të jetë shumë më aktive se do të ushtojë parlamenti apo do bëhen vetëm protesta në Tiranë. Ajo do shtrihet në çdo skaj të vendit. Në këtë mënyrë ngjallim besimin ne. Ne duhet të jemi avoketër të pamposhtur të interesave dhe të drejtave të qytetarëve. Kudo! Aty ku lind padrejtësia, lind protesta. Aty ku lind dhuna, lind qëndresa. Këto janë të padiskutueshme. Nëse e keni vënë re, një alarmim i madh ka nisur në establishmentin socialist. Ata zgjohen dhe erren duke sulmuar opozitën se ishin mësuar komod. Komoditetin do ua prishim ne përfundimisht”.

Sipas Berishës në Shqipëri ka me qindra të rinj të motivuar të cilëve do ua dëgjonte idetë dhe projektet e tyre. Ai u shpreh se PD-ja duhet të hapet jo vetëm ndaj të rinjve në vend, por edhe atyre në diasporë. Sa i përket emigrantëve dhe diasporës, ish-kryeministri tha se PD-ja duhet të bëjë gjithçka që ata të votojnë.

“Ata duhet të bëhen, duhet të pranojmë, imazhi i kësaj partie i të ardhmes së saj, por jo vetëm këta që janë në Shqipëri. Ne do hapemi fuqishëm me të rinjtë dhe jo vetëm të rinjtë, me ekselencat shqiptare në emigracion dhe diasporë. Kemi detyra. Interesi ynë kombëtar është shkrirja. Sot kufijtë janë gjysmë të parëndësishëm. Sot mungon vullneti. Sot mungojnë praktikat. Sot ekziston frika nga emigracioni dhe diaspora, reminishenca e kohëve të shkuara, por aty ka potenciale të jashtëzakonshme. Çfarë kërkojnë ata nga ne? Ata kërkojnë që të votojnë. Më të parën kërkesë që kanë dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që ligji të parashikojë votimin e tyre. Ata janë të vetmit në botë, të vetmit që nuk votojnë për vendin e tyre. Kosova i lejon, pranon votimin dhe i pret votat e tyre. Tentova në vitin 2013 me çdo kusht që të votonin. Edi Rama nxorri kartonin e kuq “nëse i fut në votim ata unë nuk marr pjesë në zgjedhje”. Tani të bëjë ç’të dojë. Ne duhet të bëjmë gjithçka që emigracioni dhe diaspora të votojë”, tha Berisha.

Zgjedhjet për kreun e PD do të zhvillohen më 22 Maj. Në garë kundër Berishës është Ibsen Elezi./tvklan.al