Berisha: Hetim lidhjeve të Ramës me McGonigal


Berisha: Hetim lidhjeve të Ramës me McGonigal

15:53 24/01/2023

“E pagoi për lobim rus dhe për të hetuar lobuesit e PD në SHBA”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi ngritjen e një Komisioni Hetimor për të zbardhur lidhjet e dyshimta mes Kryeministrit Rama dhe dy bashkëpunëtorëve të tij me ish-zyrtarin e lartë të kundërzbulimit të FBI, Charls McGonigal, i arrestuar të hënën dhe i liruar me kusht nga gjykata e Nju Jorkut, për shkak të lidhjeve me oligarkun rus, Oleg Deripaska.

“SKAP-i i partisë është e betuar se nuk mund të hetojë kurrë partinë e tij. Atëherë, ne do ngremë një Komision Hetimor Parlamentar, do të vendosim lidhje me Kongresin e SHBA. Do të japim kontributin më të madh për hetimin e kësaj afere.”

Berisha tha se lidhjet e kryeministrit me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së i ka vendosur përmes dy bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

“Në të gjitha materialet zyrtare edhe ato direkte të Departamentit të Drejtësisë, strumbullar si persona në aferën McGonigal është Edi Rama, Agron Neza, Dorjan Duçka. Agron Neza quhet personi A, Dorjan Duçka personi B, kurse Edi Rama nuk është as B, as A as C, por është Edi Rama siç është, i lidhur kokë e xhepë me agjentin e rrezikshëm.”

Sipas Berishës, përmes Duçkës e Nezës, Kryeministri ka bërë dy pagesa, njëra për lobim rus dhe tjetra për të hetuar lobuesit e Partisë Demokratike në Nju Jork.

“Është zbuluar se Edi Rama, nëpërmjet Agron Nezës, i ka dorëzuar Charles McGonigal 225 mijë Dollarë në një dorë. 80 mijë Dollarë në një dorë tjetër, sipas mediave. McGonigal ka përfaqësuar një nga bosët e mafias dhe të biznesit rus për hetime kundër opozitës në Nju Jork. Agron Nezës iu dhanë të dhëna konkretare për qytetarë amerikanë që lobonin opzitën.”

I pyetur gjatë konferencës për shtyp edhe për kallëzimin e bërë në SPAK për 21 Janarin, Berisha e cilësoi marrëzi padinë penale ndaj tij nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

“Të mos merremi me budallallëqet e Ulsiut. Ai ka vetëm një detyrë, të sillet si bodigard i Edi Ramës. Njeriu direkt përgjegjës është një dhe vetëm një, Edi Rama, dhe ta ketë të qartë se kurrë nuk do t’i ndahet kjo akuzë.”

Kryetari i Partisë Demokratike ka akuzuar Ramën dhe drejtorin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliun, se kanë manipuluar edhe një material të ri audio të publikuar në media, për të cilin mazhoranca ka bërë një kallëzim në SPAK.

Tv Klan









Të ngjashme