“Në 6 Mars të ndëshkojmë me votë Lulzim Bashën”

Kundërshtinë për projektin e hidrocentralit të Skavicës ish-Kryeministri Berisha e ndau edhe me banorët e Fushë-Alies në Dibër, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” Premtim Kryemadhi.

“Projekt me përmbytje nuk mbështes kurrë, nuk mund të ndodhë. Ti e ke dhënë me prokurim direkt këtë s’e pranoj unë, përveçse me tender të hapur se paratë janë taksat tuaja, djersa juaj. Thirrje dibranëve kudo ndodhën në këmbë për të ndaluar përmbytjen e Dibrës, Skavica është hordhi barbare dhe s’do ndërtohet kurrë për të përmbyt Dibrën.”

Jo pak akuza lëshoi në adresë të kandidatit të Lulzim Bashës, që garon në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit në këtë bashki. Akuzat nuk i kurseu ndaj përfaqësueve socialistë në këtë qark, teksa akuzoi se në shkelje të Kodit Elektoral në Fushatë janë përfshirë disa drejtorë.

Ndërsa në një tjetër takim që zhvilloi me fermerë të zonës Berisha ftoi dibranët që në 6 Mars të votojnë kandidatët e opozitës së vërtetë, duke ndëshkuar me votë Lulzim Bashën.

“Ju ftoj të votoni Premtim Kryemadhin. I them atij tjetrit, zotit Haka se duhet t’i thërrasësh ndërgjegjes. Ju e shihni se Lul Brava është në rrokullisje, si mund të votoni për të. ky çdo minutë bie poshtë e më poshtë.”

Berisha tha se në zgjedhjet e së dielës shqiptarët nisin kthesën e madhe për rivendosjen e pluralizmit politik në vend.

Tv Klan