“Ata që shpallen hero Dvoranin, mund të bëjnë çdo marrëzi”

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka qenë i drejtpërdrejtë në reagimin e tij të parë për vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken që shpalli ‘non grata’ ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij. Meta thotë se kjo është një fletërrufe e porositur nga Tirana në momentin kur po shqyrtohen ankesat për parregullsi në zgjedhjet e 25 Prillit.

“Si President i Republikës së Shqipërisë ndjej përgjegjësinë e lartë të ndaj me Ju vlerësimin tim lidhur me “fletërrufenë” e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër Z. Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit. Kjo “fletërrufe” jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik”.

Meta ka publikuar edhe një mesazh që i ka dërguar Berishës që paraditen e së enjtes pasi u njoh me vendimin e Blinken nga burime të besueshme.

“Përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe solidaritet për Ju, Lilin dhe Familjen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër. Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë. Të fala!”

Këto deklarata të presidentit Meta janë konsideruar nga Zëri i Amerikës si një sulm.

Tv Klan