Kryeministri Sali Berisha ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan për të folur lidhur me ligjin e Bushetit të Shtetit.

Buxheti i Shtetit për 2009-ën është 413 miliardë lekë nga të cilat 25% shkojnë për pensionet dhe sigurimet shëndetësore, 24% për investimet publike, 2% investime publike për pushtetin lokal, 18% për pagat, 11% për arsimin, 9% për shëndetësinë dhe 13% për shpenzime të tjera.

Gjatë emisionit Berisha foli lidhur me prioritetet e këtij buxheti. Kryeministri u shpreh se buxheti nuk ka asgjë elektorale dhe nuk do të ndikohet nga procesi zgjedhor.

“Buxheti është ligji themelor i vitit. Shqipëria nuk ka as shenjën më të vogël të krizës. Buxheti i 2009-ës nuk ka asgjë elektorale, përkundrazi unë po bëj çdo përpjekje që të mos ndikohet aspak nga procesi zgjedhor. Kjo do të jetë një fitore shumë e madhe nëse arrihet. Rrogat do të rriten më 1 Maj, përpara fushatës, por kjo nuk është aspak elektorale. Kam vizituar gjithë Shqipërinë dhe kam premtuar që do të dyfishoj rrogat e arsimtarëve, mjekëve dhe infermierëve. E kam bërë këtë sepse po binin në kolaps të plotë. Unë i përkas atyre që besojnë se rritja e rrogave është në interes të vendit. Qeveria ime ka rritur rrogat 19 herë”, tha Berisha./tvklan.al

I ftuar: Sali Berisha, kryeministër.