“Policia të mos provokojë protestuesit”

Një ditë përpara protestës kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike dhe Fronti për Shpëtimin Kombëtar, Sali Berisha ftoi qytetarët që tëbashkohen në bulevardin “Dëshmorët  Kombit” për t’i thënë ndal keqqeverisjes së Edi Ramës.

“I bëj thirrje çdo shqiptari që të bashkohet nesër për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin e Ramës dhe qeverisë së tij nga pushteti. Situata është jashtëzakonisht e ndezur. Pakënaqësia dhe urrjejtja për këtë qeveri ka rrokur qiellin.”

Një paralajmërim pati për Policinë e Shtetit.

“Paralajmëroj të gjithë llojet e policive se çdo presion, çdo qëndrim apo përpjekje për të intimidur, dhunuar e penguar popullin opozitar do regjistrohet dhe do marrë ndëshkim personal të merituar ligjor. Paralajmëroj të mos provokojnë protestuesit.”

Të njëjtin mesazh, kryedemokrati ndau edhe me përfaqësues të shoqërisë civile gjatë prezanimit të librit “Shqipëria në rrezik”, ku akuzoi Kryeministrin Rama se po vjedh shqiptarët në çdo formë.

“Njerëz të cilëve u kanë vjedhur kartat e ID, njerëz që nuk kanë asnjë lidhje, mafia qeveritare e djegësave ka vendosur t’i përdorë ata për të vjedhur gjatë kësaj periudhe 60 milionë euro. Edi Rama nuk njeh kufi në vjedhjet e tij. Çon te Zoto-Mërtiri, te ushtarët e vet të hajnisë, në aferën e djegësave, çdo ditë nga 80 mijë euro, për të treguar karakterin qesharak të hetimit që zhvillohet sot ndaj kësaj afere.”

Protesta e të enjtes do të nisë në orën 19.00 dhe kjo është e para protestë qëkur në krye të Partisë Demokratike u rizgjodh Sali Berisha.

Tv Klan