Presidenti amerikan Xho Bajden bëri të ditur se Izraeli ka paraqitur një plan që synon një armëpushim të plotë në Gaza.

“Izraeli i ka propozuar Hamasit tërheqjen e të gjitha trupave të tij nga Gaza për gjashtë javë. Kjo është koha që Hamasi të vijë në tryezën e bisedimeve dhe të pranojë marrëveshje. Eshtë koha që kjo luftë të përfundojë.”

Propozimi izraelit, shpjegoi Bajden, përfshin tre faza. E para, prej gjashtë javësh, parashikon një armëpushim të plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga të gjitha zonat e populluara të Gazës dhe lirimin e një numri të caktuar pengjesh, përfshirë gra, të moshuar, të plagosur në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë.

Civilët palestinezë do të mund të kthehen në shtëpitë dhe lagjet e tyre në të gjitha zonat e Gazës, duke përfshirë veriun, shtoi presidenti amerikan, duke specifikuar se ndihmat humanitare do të rriten në 600 kamionë në ditë. Ndërsa pengjet e para që do të kthehen do të jenë ato amerikane.

Faza e dytë parashikon vijimin e bisedimeve per ndërprerjen e armiqësive dhe, ne fazën e tretë “do të fillojë një plan i madh rindërtimi për Gazën”. Baiden i ka bërë thirrje Hamasit, që propozimin e paraqitur nëpërmjet Katarit dhe Egjiptit ta pranojë.

Kryeministri i Izraelit, Beniamin Netanjahu tha se ka autorizuar ekipin negociator per lirimin e pengjeve. Kabineti qeveritar theksoi se lufta nuk do të përfundojë derisa të arrihen objektivat, si lirimi i pengjeve dhe eliminimi ushtarak i Hamasit.

Tv Klan