Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai rus Vladimir Putin zhvilluan një bisedë online për rreth 2 orë për çështjen e Ukrainës, ku prej disa kohësh vijojnë tensionet në kufirin lindor të saj.

Biseda Biden-Putin u zhvillua në një linjë të sigurt komunikimi të krijuar nga administratat e mëparshme, por që nuk ishte përdorur më parë, sipas agjencisë ruse të lajmeve “Tass”.

Moska tha se bisedimet janë të nevojshme për shkak të tensioneve në rritje.

Rusia ka zhvendosur mijëra trupa ushtarake në kufi, por thotë se nuk ka ndërmend që të sulmojë Ukrainën.

Kremlini kërkon garanci që Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO, por vendet perëndimore thonë se duhet të respektohet sovraniteti i Kievit zyrtar.

Pas bisedimeve me Putin, Presidenti amerikan Biden pritet që të komunikojë edhe me liderët e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë të cilët kanë hartuar një strategji të përbashkët për tensionet në kufirin ukrainas. /tvklan.al