Tremujori i dytë i vitit 2024 ka njohur një rënie të lejeve të ndërtimit në vend në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT nga Prilli deri në Qershor janë miratuar gjithsej 354 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 509 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2023, duke shënuar një ulje prej 31 %.

Por pavarësisht se numri i lejeve ka rënë, sipërfaqja e ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është më e madhe.

Nga 652.136 metra katrorë vjet, këtë vit në tremujorin e dytë ka shkuar në 844.137 metra katrorë, duke njohur një rritje me 29%.

70% e lejeve të dhëna janë për ndërtime për banim. Nga 254 leje të tilla, 100 prej tyre janë për banesa me një kat. Ndërsa në mesin e ndërtimeve jorezidente, 10 janë për hotele e ndërtesa të ngjashme.

Tirana, Durrësi dhe Elbasani janë qytetet me numrin më të lartë të lejeve të miratuara për ndërtim.

Sakaq në tremujorin e dytë 2024, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 33.7 miliardë Lekë, nga 24.4 miliardë Lekë miratuar në tremujorin e dytë 2023, duke shënuar një rritje prej 38,1 %.

Tv Klan