Gjigandi i mediave sociale, Facebook është përballur për herë të parë në historinë e tij 18-vjeçare me rënien e përdoruesve aktivë.

Kompania paralajmëroi rënie të fitimeve përballë konkurrencës nga rivalët si TikTok dhe YouTube, ndërkohë që reklamuesit po shkurtojnë shpenzimet. Pas njoftimit, vlera e aksioneve të kompanisë Meta ka rënë  me 20 për qind, shifër që në të holla përkthehet me 200 miliardë dollarë.

 Vlera e aksioneve ka rënë edhe te platformat tjera të mediave sociale, duke përfshirë Twitter, Snap dhe Pinterest. Shefi ekzekutiv i kompanisë Meta, Mark Zuckerberg  deklaroi se audienca  kryesisht të rinjtë  po përdorin platformat e rivalëve.

Meta, e cila zotëron platformën e dytë më të madhe të reklamave dixhitale në botë pas Google, tha gjithashtu se ishte goditur nga ndryshimet e privatësisë në sistemin operativ të Apple. Ndryshimet ua kanë vështirësuar kompanive procesin e shënjestrimit dhe matjes së efektivitetit të reklamave të tyre në Facebook dhe Instagram. Mesa duket Facebook nuk është më aq popullor për të rinjtë sa ishte më parë pasi TikTok po tërheq mijëra përdorues çdo ditë.

Klan News