Qindra miliona përdorues pa komunikim me mesazhe

Rrjeti më i përdorur social për komunikimin me mesazhe WhatsApp u bllokua për 2 orë paraditen e kësaj të marte. Probleme patën rreth 2 miliardë përdoruesit në gjithë globin, që hasën vështirësi të dërgonin mesazhe nga ora 09:00 deri në 11:00.

Arsyet ende nuk janë bërë të ditura nga platforma Meta që ka në pronësi WhatsApp, por teksa ky rrjet u bllokua, shërbimi funksionoi pa asnjë problem për mediat e tjera të kësaj platforme si Facebook dhe Instagram.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që WhatsApp përballet me bllokime masive të shërbimit në shkallë botërore. Tetorin e vitit të kaluar, ky rrjet u bllokua për 6 orë me radhë. Probleme me funksionimin patën edhe Facebook dhe Instagram.

Në atë kohë, drejtuesit e Meta-s argumentuan se vështirësitë ishin shkaktuar nga ndryshimet në konfigurimin e këtyre rrjeteve sociale. Në këto raste qindra miliona përdoruesit nëpër botë gjejnë zgjidhje, duke përdorur platforma të tjera si Telegram e Viber.

Tv Klan