Probleme me postën elektronike dhe mbledhjet online

Dhjetëra mijëra njerëz në gjithë globin e patën të pamundur të përdornin paraditen e kësaj të Mërkure, shërbimin e postës së famshme elektronike Outlook.

Ky shërbim u bllokua për disa orë për shkak të një defekti, për të cilin kompania Microsoft ka nisur menjëherë hetimet. Bllokime hasën edhe përdoruesit e shërbimeve të tjera të kësaj kompanie si Teams, i njohur për videokonferencat online me shumë pjesëmarrës që shfrytëzohet nga 280 milionë njerëz në mbarë botën, mjaft i përdorur edhe në Shqipëri gjatë bllokadës së pandemisë, si dhe shërbimi Xbox Live apo Office 365.

Është ende e paqartë çfarë e shkaktoi bllokimin e këtyre shërbimeve, ndërsa për momentin nuk flitet për një sulm të mundshëm të hakerave. Në një seri postimesh në Twitter, Microsoft njoftoi identifikimin vetëm të disa ndryshimeve të paqarta në rrjet, ndërsa po punon intensivisht për riparimin e problemit.

Tv Klan