3 fitore, nga të cilat një në miqësoren me Turqinë, 2 barazime nga të cilat një sërish në miqësoren me Jordaninë dhe të tjerat 8 humbje. Ky është bilanci i Christian Panuccit, në drejtim të pankinës së Kombëtares së Futbollit. Italiani e nisi me një fitore 2-0 me Liechtenstein dhe me barazimin me Maqedoninë. Dy humbjet me Spanjën dhe Italinë në fund të kualifikueseve ishin të justifikuara.

Miqësorja me Turqinë, ku kombëtarja fitoi 3-2 me lojë të mirë dhe reagim të fortë bëri të besohej se punët po shkonin mirë dhe se skuadra po konsolidohej. Edhe humbja me Norvegjinë,1-0, nuk ngjalli shumë pakënaqësi.

Ajo çka nisi të përmbysë gotën ishin miqësoret e verës. Humbja me Kosovën 3-0 ishte tronditëse. Italiani tha se skuadra nuk iu përgjigj. 3 ditë më pas pritej reagimi ndaj Ukrainës, por kuqezinjtë shkuan më keq. Pësuan 4-1.

Ndaj Izraelit në “Elbasan Arena”, Kombëtarja shtrëngoi dhëmbët dhe golin e gjeti duke treguar forcën e karakterit. Xhaka shënoi një supergol.

Por 4 ndeshjen e fundit, vetëm e përkeqësuan situatën, duke nxjerrë në pah pakënaqësitë e lojtarëve për ndryshimet e shpeshta të formacionit dhe rreshtimit. Zakonisht futbollistët profesionistë nuk i diskutojnë vendimet e trajnerëve, por mesa duket edhe për lojtarët kupa u mbush.

Surprizat e Panuccit në këtë aspekt ishin të zakonshme. Në radhët e kuqezinjve thuhej se trajneri njoftonte individualisht futbollistët si pjesë e formacionit, por në ndeshje një ditë më pas në listët e titullarëve ishin emra të tjerë.

Në deklaratën e Armand Dukës disa ditë më parë lexohej se koha e Panuccit kishte mbaruar. Presidenti i FSHF duket se do të presë edhe miqësoren me Uellsin, për të bërë publik shkarkimin e tij, ose arritjen e një  marrëveshjeje për prishjen e kontratës. Në humbjen ndaj Skocisë në Shkodër, lamtumirën italianit ia dhanë edhe tifozët.

Tv Klan