Ben Blushi është kërcënuar nga Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, pas fjalës që i mbajti një javë më parë në Kuvend.

Denoncimin publik, deputeti socialist e bëri në seancën plenare duke lexuar SMS e ardhur në telefonin e tij.

Ben Blushi, Deputet i PS-së: 

“Pasi fola në parlament më vjen një mesazh në celular. O Blush, jam Roshi, unë nuk kam bërë asnjë krim dhe shumë shpejt do të dal për sqarim të publikut, por borxh nuk të kam ty, sa  të kem qytetin e Kavajës. Ka ca sharje…” 

Blushi i bëri një pyetje Kryeministrit Rama, i cili edhe pse i ulur vetëm pak metra pas tij, nuk pati asnjë lloj reagimi.

Ben Blushi, Deputet i PS-së: 

Ky e ka emrin Elvis apo Ervin? Ervinin dhe Elvisin në Kavajë, Shukriun në Peshkopi, Qazon në Elbasan, kë përfaqësoni këtu? Të gjithë llumin e Shqipërisë e ke ngritur në piedestal në Kavajë, në Elbasan, në Peshkopi, edhe në Durrës po të duash. Kush janë këta njerëz? Çështja nuk është pse janë ata dhe si janë ata, çështja është pse nuk i kap ligji. E di pse? Sepse i mbron ti”

Por ndërsa nuk mori përgjigje nga Kryetari i ‘Rilindjes’, siç iu drejtua Blushi Kryeministrit, ky denoncim i tij ngjalli reagimin e disa përfaqësuesëve të opozitës, të cilët i dolën në krah dhe kërkuan një qëndrim nga kreu i qeverisë.

Në formularin e vetëdeklarimit për Ligjin e Dekriminalizimit, Kryebashkiaku i Kavajës pranonte se ishte dënuar në Gjermani, por theksonte se nuk e mbante mend shkakun e arrestimit dhe dënimit të tij, çka u denoncua një javë më parë nga Deputeti Blushi, si një rast i papranueshëm.

Tv Klan